Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Janari do të jetë muaji, ku do të fillojnë prishjet e ndërtimeve pa leje në Parkun Rinia. Sipas miratimit nga qeveria të bulevardit Ansambël Monument Kulture edhe parku duhet të mos jetë më kështu. Përveç projektit që ka bërë Bashkia e Tiranës, për ta rikthyer parkun në lulishte edhe Ministria e Punëve Publike, si edhe Policia Ndërtimore, janë angazhuar që këtu të mos ketë më ndërtime të tilla.

Mit’hat Havari:- “Parku Rinia, nuk është thjeshtë një kioskë. Ne kemi prishur ndërtime më serioze se sa ka Parku Rinia brenda, por aty janë 90 kioska dhe është një vend i madh, është një pellg i së keqes, i krimit, i drogës, prostitucionit, etj. Prandaj kërkon një angazhim të madh të shtetit që kërkon fonde dhe fondet i ka vetëm kryeministri shqiptar, që do vërë në lëvizje gjithë makineritë e rënda. Ky është një park që do të kthehet në origjinë”.

Firma e fundit i ka mbetur kryeministrit, për të vendosur që muajt e parë të vitit të ardhshëm, të jenë sulmi mbi këto ndërtime. Që nga viti 1991 e këtej, në këtë park gjenden mbi 400 lokale pa leje./tvklan.al