Komisioni parlamentar i medias ka miratuar pas disa debatesh propozimin e deputetit Lesi mbi projektligjin për shtypin në bazë të të cilit pronarët e medias përjashtohen nga tenderat me fondet publike.
Nikollë Lesi: “Media është pushtuar kohët e fundit ose vitet e fundit nga infiltrimet e tregtarëve që në darkë i ke te trau i doganës së Durrësit apo të Kakavijës dhe të nesërmen gdhihen pronarë mediash, pronarë gazetash, pronarë revistash, pronarë radiotelevizionesh. Prandaj unë kërkoj, si pushtet i katërt që është media, të këtë një kontroll, liri natyrisht në maksimum, por dhe kontroll në maksimum, të dyja bashkë, sepse është një pushtet i katërt dhe në media unë jam i bindur që ka infiltrime të mafies ekonomike.”
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komision, Minarolli, ka kërkuar që ligji të parshikojë dhe ndërhyrjen e sekserëve të pronarëve të medias në këto tendera, por një gjë e tillë iu kalua komisionit të ligjeve për formulim. Propozimi i deputetit Lesi parashikon gjithashtu që gazetat të mos shiten nën 30 lek dhe pikat e shitjes të mos përfitojnë më shumë se 10% të çmimit në të kundërt gjobiten me 1 deri në 1.5 milionë lek. Për të kontrolluar burimet e financimit komisioni i medias vendosi që në çdo gazetë apo revistë të publikohen bilancet respektive. Mospublikimi parashikon gjobë deri në 2 milionë lek./tvklan.al