Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, prokurori i antimafies italiane Pier Luigi Vinja dhe zv/prokurori Francesco Mandoi, janë takuar me kryeministrin Fatos Nano, duke shprehur vlerësimin e tyre mbi paketën ligjore për të goditur krimin e organizuar dhe trafiqet.
Pas këtij takimi në një intervistë, prokurori Vinja u shpreh, se ligji i antimafies ka një rëndësi të dyfishtë, është një moment i rëndësishëm drejt integrimit evropian, por së dyti ai ndikon drejtpërsërdrejti në identifikimin e elementëve kriminal dhe pasurimin e tyre.
Ligji që pritet të miratohet parashikon që hetimet për grupet kriminale që veprojnë në të dyja vendet të kryhet nga autoritet shqiptare në mënyrë të pavarur. Ndërsa në grupet policore që do të kryejnë operacionet e arrestimit, të marrë pjesë edhe një funksionar italian. I njëjti ligj bën fjalë edhe për sekuestrimin e pronave dhe pasurive që kanë ardhur nga para të drogës apo veprimtaritë tjera kriminale, si dhe shfrytëzimin e tyre nga shteti.
Pasdite është prezantuar dhe reforma ligjore në sistemin e drejtësisë dhe në përgjithësi. Vinja është shprehur se ligjet shqiptare në fushën e krimit të organizuar janë efikase, ato urrehen nga kriminaliteti italian. Ligji është pozitiv, ndërsa kryeministri Nano ka kërkuar më tepër siguri për zbatimin e këtyre ligjeve.
Fatos Nano: “Në funksion të reformave në Shqipëri, vazhdojnë akoma të prodhohen një numër i konsiderueshëm ligjesh. Duket se sfida jonë e këtij tranzicioni është që të mos karakterizohemi më nga e njëjta sëmundje. Dikur Ballkani ka prodhuar më shumë histori se sa ishte në gjendje të treste, mesa duket tani pa e pakësuar numrin dhe asortimentin e iniciativave ligjvënëse që prodhojnë legjislacion të ri, duhet të nxisin institucionet dhe administratën për t’i tretur dhe për të krijuar kapacitetet tretëse të ligjeve që na ofrojnë ën Europë”.
Legjislacioni vendas do të harmonizohet me atë evropian, e publiku duhet njohur me legjislacionin e ri pasi ky do të rrisë transparencën./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti