Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Dosja hetimore për të ashtuquajturin skandal i pasaportave mbërrin në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria i ka dhënë fund tashmë hetimeve dhe bëhet gati të lexojë para trupit gjykues akuzat ndaj tre të pandehurve VIP të çështjes të arrestuar në Tetor të vitit të kaluar. Mësohet pranë burime pranë kësaj gjykatë, se kryetari i trupit gjykues është caktuar me short gjyqtari Artan Broci. Ai pritet të caktojë edhe datën e seancës së parë të çështjes.
Ish-drejtori i rendit në Ministrinë e Rendit Veli Myftari, zv/ministri Bujar Himçi dhe ish-drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Arben Prifti, do të ulen në bankën e të pandehurve përkatësisht me akuzat, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Edmond Alisë, ish-drejtori i prokurimeve në Ministrinë e Rendit dhe aktualisht i shpallur në kërkim nga policia.
Prokuroria pritet të bëjë të njohur në seancën e parë gjyqësore, dëmin që të pandehurit i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dhe që arrin në disa qindra mijëra dollarë. Hetimet për këtë çështje kanë filluar që në kohën kur në krye të Ministrisë së Rendit ishte zoti Ilir Gjoni. Sipas pretendimeve të prokurorisë, mungesa e elementëve të sigurisë në pasaportën e prodhuar nga firma gjermane që fitoi tenderin, si dhe pagesa edhe për elementët që mungonin, i ka shkaktuar shtetit dëmin e madh. Megjithatë asnjë nga të pandehurit nuk e ka pranuar akuzën./tvklan.al