Në emisionin e 1 prillit emisoni “Stop” në Tv Klan tregoi sesi mishi me origjinë nga Brazili, importohet në Shqipëri nga Kosova nga kompania “Apetit shpk”. Më pas në etiketë shkruhet se është mish i freskët nga Kosova. Vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompania “Apetit shpk”.
“Stop” mori informacione se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian, që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”. Me kamera të fshehtë, “Stop” mori rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositi 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentat u bënë sikur 1 ton mish fileto viçi ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024.
Sot Ervin Grucka, Drejtor i Menaxhimit të Riskut në AKU tha se grupet e kontrollit kanë dalë në terren për të kontrolluar mishin e importuar nga “Apetit shpk”. Nga ana tjetër Autoriteti i Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ka pezulluar importin e mishit në Shqipëri nga kompania në fjalë. “Stop” mësoi se SPAK në Shqipëri dhe Prokuroria Speciale në Kosovë kanë nisur hetimin për skandalin që rrezikon shëndetin tonë./tvklan.al