Emisioni “STOP” që transmetohet nga e hëna në të premte në Televizionin Klan ka trajtuar rastin e një vdekjeje, që mendohet se është e dyshimtë.
Shkëlqim Gjoni vëllai i të ndjerit Ilir Gjoni tregon se, i vëllai ndërroi jetë në 1 korrik të vitit 2015, por ende nuk kanë mundur ta zbardhin këtë humbje. Në fillim u tha, se vdekja kishte ardhur nga një infarkt i papritur i zemrës. Por këtë pohim nuk e vërteton asnjë dokument.
“
Iliri ka vdekur rreth orës tetë të mëngjesit më datën 2 korrik të vitit 2015. Më vjen një person dhe më tha bëhu i fortë se vëllai ka vdekur nga një infarkt”.
Kush ta tha këtë?
Ramiz Drizi, ustai që ka punuar atë ditë me vëllain. Jam drejtuar tek morgu. Duke pritur aty tentoj që të futem të shikoj a është vëllai im ai që kishte vdekur, por nuk më lejuan. Pas disa kohësh ka dalë doktori, që ka bërë ekspertizën dhe më ka pyetur se nga se vuante vëllai yt më përpara. Dhe unë i thashë, që vëllai im nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje. Kam kartelën e vëllait dhe është e bardhë. Ja Ilir Hasan Gjoni nuk ka qenë i shtruar asnjë ditë.”
I ndjeri ka qenë duke punuar në një ndërtesë private, për llogari të një firme në pronësi të Ramiz Drizit dhe Iljaz Bodinit. Këta të fundit janë zhdukur nga Shqipëria pas vdekjes së Ilirit. Ndërkohë vetë bashkëshortja e Ilirit, Dashurie Gjoni shprehet se ai nuk ka vuajtur asnjëherë nga ndonjë sëmundje.
“A ka vuajtur nga ndonjë sëmundje zoti Ilir?
Jo, Iliri ishte shëndoshë e mirë. Punonte gjatë kohës që gjente punë. Ai doli si çdo ditë për punë dhe na erdhi lajmi i vdekjes. Nuk i kemi parë as trupin. Bashkëshorti im ka vdekur dy herë edhe nga drejtësia shqiptare që endet dosja sa andej këtej. Ne jemi pa asnjë lloj përkrahje nuk di çfarë të them më tepër. Fëmijët kërkojnë babin e vet dhe nuk di çfarë përgjigje t’i japësh.
Nga spitali ju ka ardhur kufoma e veshur?
Po, ka ardhur nga morgu kufoma e veshur dhe nuk kemi pa gjë.”
Dokumenti i spitalit thotë, se Ilir Gjoni ka mbërritur i vdekur. Ndërsa hetimi i prokurorisë së Tiranës thotë, se i ndjeri ka ndërruar jetë në spital.Gjykata e Tiranës i dha të drejtë familjarëve, duke kërkuar zhvarrosjen e kufomës.
“Zoti Shkëlqim ti vendose që ti shkosh deri në fund kësaj çështje që të gjesh cili ishte shkaku i vdekjes së vëllait tuaj. Si vijove më pas?
Atë ditë në gjendje tepër të shokuar më kanë dhënë një letër në dorë, pra skedën e vdekjes ku thuhet: vdekje e papritur nga një shkak i panjohur. Për momentin isha i shokuar dhe nuk arrija të reflektoja se çfarë ishte shkruar në atë letër. Kjo vdekje do të thotë vdekje në rrethana misterioze. Kam shkuar më pas tek mjekësia ligjore. Pas katër muajsh marr ekspertizën mjeko – ligjore tek prokurori i çështjes. Këtu shkruhet: Më datën 01.07.2015 rreth orës 10.30 në vendin e quajtur Paskuqan 2, duke punuar në një objekt njëkatësh, ka rënë nga skela dhe për këtë është dërguar në Spitalin Ushtarak për ndihmë ku më pas ka gjetur edhe vdekjen. Pastaj unë kam shkuar dhe jam interesuar tek Spitali Ushtarak. Kam marrë letër atje ku thotë: Vërtetojmë se Ilir Gjoni është paraqitur në urgjencën e Kirurgjisë të këtij institucioni më datë 01.07.2015, e sollën të vdekur. Në gjithë këtë çështje vendimi i prokurorisë nuk konstaton asgjë dhe për këtë prokurori jep vendimin për mbylljen e çështjes.”/ tvklan.al