I pandehur për lobimin bashkë me 2 zyrtarë të tjerë të PD
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me çështjen kontratave të lobimit në Shtetet e Bashkuara, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe ka dërguar dosjen e tij në gjykatë.
Basha rezulton i pandehur, nën akuzat për veprën penale, falsifikim të dokumenteve zyrtare. Ndërsa akuza për pastrim parash ka rënë.
Së bashku me Bashën, organi i akuzës ka dorëzuar në gjyq dosjen në ngarkim të Arben Ristanit, që mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në kohën e nënshkrimit të kontratave të lobimit dhe financierit Ilir Dervishi.
Edhe ata akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, në lidhje me dokumentet që ata kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës elektorale.
Sipas prokurorisë, këto dokumente janë të falsifikuara. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes.
Hetimet nisen pas një shkrimi të revistës amerikane ‘Mother Jones’, e cila hodhi dyshimin se Partia Demokratike kishte paguar 650 mijë Dollarë per lobim në SHBA kompanisë ‘Muzin Capitol Partneres’, në pronësi të shtetasit Nik Muzin, nëpërmjet kompanisë offshore ‘Biniata Trade’, pas të cilës qëndrojnë dy biznesmenë rusë.
Nik Muzin pritet të merret në pyetje në Shtetet e Bashkuara për llogari të hetimit. Por përmes autoriteteve amerikane ai ka kërkuar të ushtrojë të drejtën per të mos u vetë inkriminuar, sipas nenit 5 të Kushtetutës amerikane.
Autoritetet në Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar prokurorëvë shqiptarë që të bëjnë të qartë nëse statusi Nikolas Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm i hetimit dhe nëse Muzin, ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptar.
Prokurorisë së Tiranës i janë dashur rreth dy vite hetime për të dalë në konkluzionin së Lulzim Basha dhe dy funksionarët e lartë të Partisë Demokratike duhen të përgjigjen para gjykatës për financimet e fushatës elektorale.
Por Kryetari Basha ka mohuar që Partia Demokratike të këtë marrë financime nga kompani apo individë rusë.
Megjithatë ai do të përballet sërish me drejtësinë, me të cilën u përball për herë të parë pas akuzave që u ngritën ndaj tij në vitin 2008 për Rrugën e Kombit.
Kërkesa e dërguar në Gjykatë mban firmën e prokurorëve Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, ndërsa mungon për arsye ende të paqarta firma e prokurorit Kol Hysenaj, i cili gjithashtu ka qenë pjeseë e grupit hetimor.
Tv Klan