Pak ditë më parë, në Portin e Durrësit mbërriti një anije turke me 102 kontejnerë mbetjesh, të cilat dyshohet se janë të rrezikshme. Kontejnerët u sekuestruan menjëherë me vendim të Prokurorisë së Durrësit.

Këtë të Premte, në një njoftim zyrtar, Prokuroria thekson se ende nuk është ekzekutuar vendimi i datës 27 Tetor. Kjo për shkak të volumit të sendeve dhe nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike të tyre.

Shton se deri në finalizimin e procesit të sekuestros, anija do të vijojë të jetë nën monitorimin e Policisë së Shtetit. Po ashtu, do të vendosen në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për të kryer të gjitha analizat e materialit në këto kontejnerë.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre.

Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti  i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi. Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm”, njofton Prokuroria e Durrësit.

Ngarkesa dyshohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, e nisur nga Shqipëria në Korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas sinjalizimit nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” me qendër në Seattle, SHBA.

/tvklan.al