Prokuroria e Durrësit nisi hetime mbi bazën e dy referimeve për rastin e transportit të mbi 800 ton mbetje toksike drejt Tajlandës me anë të dy anijeve.
Ka qenë fillimisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e cila në 16 gusht ka referuar në Prokurori materialet me dyshimet e kontrabandës dhe më pas edhe Policia e Durrësit, që gjithashtu ka kërkuar hetime, bazuar nga të dhënat mediatike edhe për “Shpërdorim detyre”.
Me anë të një njoftimi, Prokuroria thotë se fillimisht po heton vetëm për dyshimet e kontrabandës me mallra të ndaluara ose të kufizuara.
Gjithashtu Prokuroria e Durrësit bën të ditur se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim edhe me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ministria e Mjedisit duke iu përgjigjur interesit të Televizionit Klan për këtë çështje sqaroi se i mbetet të njëjtit qëndrim që ka mbajtur edhe në reagimin për median ndërkombëtare Blumberg e cila publikoi për herë të parë lajmin mbi këtë çështje, ku bën të ditur se nuk ka dhënë asnjë autorizim për transportin paligjshëm e një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik dhe se kompania përkatëse nuk ka paraqitur asnjë të dhënë mbi destinacionin e ngarkesës.
“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”, tha Ministria e Mjedisit.
Ndërkohë Kurum, një prej kompanive që operon në kompleksin metalurgjik të Elbasanit, në një reagim për Televizionin Klan përjashtoi që mbetjet e kaluara në portin e Durrësit të jenë të sajat.
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshëm të Doganave dhe porteve shqiptare”, tha Kurum.
Të dhënat e deritanishme kanë treguar se anijet me rreth 100 kontejnerë me mbetje në pronësi të kompanisë ndërkombëtare MSC janë nisur nga Porti i Durrësit në 4 korrik drejt portit të Triestes.
Në këtë port njësitë kontejnerike nuk kanë qenë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuara nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Tajlandën në Azinë Juglindore.
Tv Klan