Për Prokurorinë e Vlorës, ish-efektivi i policisë Arjan Tase, është fajtor për akuzën e vrasjes me dashje të 7-vjeçares Jonada Avdia dhe i kërkoi gjykatës ta dënojë atë me 15 vite burg. Në pretencën e lexuar para gjyqtarëve, prokuroria thotë që hetimi provoi se në datën 2 gusht 2022, Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë në Potam të Himarës.
Ai ka lënë disa persona në breg të detit dhe në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte 7-vjeçarja me të atin e saj, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të këtyre të fundit. Në marrjen e kthesës motorët e tij kapën vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura ndërroi jetë nga plagët e marra.
Avokatët e ish-efektivit të policisë, i cili në kohën kur ndodhi ngjarja mbante detyrën shefit të policimit në komunitet në Elbasan, kërkojnë ndryshimin e akuzës nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia.
Kërkesë e cila kundërshtohet nga prokuroria që thotë se vrasja me dashje është konsumuar nga ish-efektivi në formën e dashjes indirekte, duke argumentuar si ai mund të vlerësonte se futja me mjet lundrues në zonën ku qytetarët notonin mund të sillte pasoja, por nuk e ka shmangur veprimin.
Tv Klan