18 vite burg dha Gjykata e Vlorës këtë të mërkurë për ish-efektivin e policisë Arjan Tase, i cili në 2 gusht të 2 viteve më parë goditi për vdekje me skafin e tij 7-vjeçaren Jonada Avdia në plazhin e Potamit në Himarë. Tase u shpall fajtor për veprën penale “vrasje me dashje”, por iu ul 1/3 e dënimit të dhënë për shkak të gjykimit të shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Ish-efektivi i policisë akuzohet se duke shkelur kordonin e sigurisë është afruar në zonën e bregut ku e mitura ishte duke u larë në ujë me babain e saj. Sipas dëshmitarëve, skafi ka bërë një kthesë të menjëhershme duke goditur 7-vjeçaren me helikat e tij.
Familja me origjinë nga Tropoja jetonte në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës. 8 prej tyre u akuzuan për shpërdorim detyre.
Tv Klan