Prokuroia e Palermos ka kërkuar që Matteo Salvini të dënohet me 6 vite burg ditën e sotme. Ai akuzohet për pengimin e zbarkimit të 147 emigrantëve në Lampedusa në vitin 2019.
Salvini i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, i la emigrantët të bllokuar në det derisa prokurorët urdhëruan sekuestrimin e anijes dhe evakuimin e njerëzve në bord.
Anija e shpëtimit Open Arms, kaloi pothuajse tre javë në det, pasi Salvini iu refuzoi lejen për t’u ankoruar.
Mediat italiane bëjnë të ditur se përpara togave të zeza ai ka hedhur poshtë akuzat duke pretenduar se ka bërë detyrën e tij për të mbrojtur kufijtë e shtetit italian.
“Shpallem fajtor se kam mbrojtur Italinë dhe italinët?! Deklarohem fajtor se kam mbajtur fjalën! Asnjë qeveri dhe asnjë ministër ndonjëherë në histori nuk është akuzuar apo gjykuar se kanë mbrojtur kufijtë e vendit të tyre,” ka thënë Matteo Salvini.
Për vendimin e prokurorëve të Palermos ka pasur reagime të shumta nga persona të shquar të sferës politike. Kryeministria e Italisë Giorgia Meloni ka shprehur mbështetjen për ish-ministrin Salvini.
“Të shndërrosh detyrën për të mbrojtur kufijtë italianë nga imigracioni i paligjshëm në një krim është një precedent shumë serioz. Solidariteti im total me ministrin Salvini,” ka thënë Meloni.
Edhe ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani ka shprehur gjithashtu solidaritet për Matteo Salvinin.
“E përsëris atë që thashë mëngjesin e sotëm: Matteo Salvini bëri detyrën e tij si ministër i Brendshëm për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Kërkimi i 6 vite burg për këtë arsye duket të jetë një zgjedhje e paarsyeshme dhe për më tepër pa asnjë bazë ligjore.”/tvklan.al