Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar KLGJ-së që t’i vërë në dispozicion dosjen e gjyqtares Irena Gjoka.
Kerkesa është bërë në datën 19 prill, kur u publikuan për herë të parë, fakte nga media greke për një urdhër dëbimi të dhënë për gjyqtaren Gjoka, nga policia e vendit fqinj. Pasditen e së martës është njoftuar nga KLGJ se kjo e fundit i ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme të gjithë dosjen e gjyqtares, përfshirë edhe formularin e vetë-deklarimit, i cili konsiderohet si më kryesori në këtë rast.
Dy ditë më parë një tjetër gazetë greke, “Protothema” publikoi të dhënat më të fundit në lidhje me ish-kryetaren në detyrë të Gjykatës kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Protothema ka publikuar një vendim në të cilin pretendon se gjyqtarja ka tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore. Më pas Gjokës që në atë kohë kishte mbiemër tjetër i është ndaluar hyrja në vendin fqinj. Ajo ka apeluar vendimin në Gjykatën e Athinës, e cila më pas ia ka kaluar për kompetencë gjykatës së Janinës, e cila ka në zonën e saj, pikën doganore të Kakavijës. Gjithnjë sipas medias greke, gjykata vendore e ka rrëzuar pretendimin e Irena Gjokës, duke lënë në fuqi urdhërin e dëbimit. Tashmë i mbetet Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë hetimin e rastit e më pas KLGJ për të ndërmarrë veprime të tjera.
Irena Gjoka e ka drejtuar që në nisje Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ajo ka qenë pjesë e trupës gjykuese që dënoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Gjoka ka qenë edhe gjyqtarja që ka vendosur masat e para të sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Klan News