Shkrimtari dhe mendimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges vjen për lexuesin shqiptar tashmë edhe më një shkëmbim të lirshëm idesh dhënë gazetarit Osvaldo Ferrari për radion argjentinase Municipal, në vitin 1984, të botuara më pas edhe në gazetën Tiempo Argentino.

Libri “Biseda” botuar nga Tirana Times ngërthen tridhjetë biseda ngacmuese ku shkrimtari i madh dëshmon ashtu si në libra se edhe në dialogun e përditshëm, krijimi për të është një aktivitet i gjithhershëm e i pandalshëm.

Në këto pyetje-përgjigje për radion argjentinase Borges reflekton mbi identitetin argjentinas dhe ndikimin e tij në kohë, nga mitologjia deri tek westernët, nga Dante tek Kipling duke evidentuar madhështinë e mendimit të tij si një nga autoret më të mëdhenj të shekullit të 20-të.

“Në kohën e britmës” titullohet romani më i ri i shkrimtarit Visar Zhiti botuar nga shtëpia Omska. “Në kohën e britmës” pasqyron një pjesë të ikjes, asohere kur njerëzit largoheshin nga dhuna dhe varfëria, në kërkim të një jete më të mirë, duke dalë shpesh dhe nga vetja.

Autori duket i interesuar pikërisht për ikjen nga vetvetja, të cilën e rigjejnë pjesë pjesë apo e humbin përgjithmonë në ndeshjen me të keqen në realitetin e përditshëm.

Gazetari myzeqar, Jovan Jano pas librit mbi “Che Guevaren” ka botuar së fundmi edhe një libër për vendlindjen të titulluar “Fisnikëri myzeqare”.

Autori përshkruan tërë këtë trevë pjellore të Myzeqesë, me vlerat historike kulturore e ekonomike duke u thelluar më tej në fshatin Libofshë. /tvklan.al