Në ditën e katërt të panairit u ndanë çmimet për shkrimtarin më të mirë të vitit, paraqitjen më të mirë në panair, realizimin grafik dhe çmimi për librin më të mirë për fëmijë.
Shkrimtari më i mirë u vlerësua Visar Zhiti, me një çmim të dorëzuar nga kryeministri Sali Berisha.
Sali Berisha: “Është një nder, një kënaqësi e veçantë t’i dorëzoj çmimin e akorduar nga juria e panairit shkrimtarit dhe poetit tonë të talentuar, njërit prej personaliteteve më me ndjenja në letrat shqipe, Visar Zhitit.”
Visar Zhiti: “Ky çmim për mua është shumëfish gëzim dhe njëkohësisht më duket e çuditshme dhe e bukur dhe metafora dhe simbolika që e marr në Pallatin e Kongreseve, i cili ishte ndërtuar nga ata që më kishin ndaluar të botoja, nga ata që më kishin dënuar për poezinë”.
Juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë vendosi me shumicë votash që çmimi për përkthyesin e vitit këtë vit t’i takojë publicistit Ardian Klosi, çmim qe iu dorëzua nga Ministri i Kulturës, Ylli Pango.
Për stendën me paraqitjen më të mirë, çmimi i shkoi shtëpisë botuese “Ideart”.
Çmimin e parë për grafikën më të mirë e mori kolana me 20 vëllime të rilindasit Sami Frashëri, ndërsa çmimin “Odhise Grillo” për autorin më të mirë për fëmijë e mori libri “Kush banon tek syri”.
Po kështu në këtë panair kreu i qeverisë shfrytëzoi rastin për të theksuar se politikat e kabinetit të tij janë të orientuara për t’i dhënë përparësi zhvillimit të librit.
Sali Berisha: “Jemi përqendruar në sistemin arsimor, jemi të angazhuar që të financojmë dhe të investojmë në të gjitha bibliotekat e shkollave dhe dora-dorës do të kalojmë në të gjitha bibliotekat e qyteteve të vendit. Politika ndaj librit është një përparësi e qeverisë sime”.
Ky panair shënoi një numër rekord prezantimesh, sikundër pati edhe mjaft vizitorë, duke shënuar kështu një lidhje më të madhe midis lexuesit dhe librit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle