Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vazhdoi turin e dëgjesave “Rrugëtimi për Shqipërinë” në Korçë. Në një takim me të rinjtë, ai deklaroi se qeveria e tij do të ketë për qëllim që ta lërë të qetë dhe të lirë biznesin.

Basha tha se opozita propozon që biznesi i vogël të ketë taksë vetëm 0.5% të xhiros vjetore. Pasi paguan këtë taksë vendoset një pullë në vitrinën e biznesit dhe inspektorët e tatimeve nuk kanë pse kryejnë më kontrolle.

“Mekanizmi kryesor për ta nxjerrë vendin nga kriza për ne është të krijojmë një klimë të mirë për biznesin duke filluar me biznesin e vogël që është edhe shtylla kurrizore e ekonomisë dhe duke krijuar një klimë të mirë për investimet e huaja pa të cilin nuk mund të krijojmë punësim. Duhet rikthyer gara, kushtet e barabarta të garës dhe barazia para ligjit. Cilat janë propozimet tona kryesore. Propozimet tona janë që duke e konsideruar biznesin e vogël si gjenerator kryesor të punësimit i japim një dorë në vend që ti vemë duart në fyt. Propozimi ynë shumë i thjeshtë. Taksa për biznesin e vegël të jetë vetëm një taksë, 0.5% e xhiros vjetore. Vetëm kaq. Dhe të gjitha taksat e tjera dhe të fshira, të çuditshme që shtohen e shpiken, të thjeshtohet gjithçka. 0.5% e xhiros kontribut për pushtetin vendor. Gjithçka tjetër të fshihet. Me shlyerjen e kësaj takse në tre këste ju vendosni një pullë identifikuese te vitrina ose dritarja e biznesit me të cilin vërtetohet që keni shlyer detyrimin dhe nga na tjetër përbën shenjën ndalim kalimi për çdo inspektor tatimor dhe çdo lloji tjetër. Kjo lidhet me dy fjalët të qetë dhe të lirë. Duam t’ju lemë të qetë dhe të jeni të lirë në punën tuaj. Ju garantoj që ky do të jetë qëllimi i qeverisë sonë. ”, tha Basha.

Ndër të tjera Basha deklaroi se kufiri për TVSH-në do të jetë 14 milionë lekë të reja në vit. Bizneset e mëdha, sipas kreut të selisë blu, do të taksohen me taksën e sheshtë 9%.

“Ne do të vendosim një kufi tjetër për TVSH-në që do të jetë 14 milionë lekë të reja në vit. Do të përjashtoheni nga torturat e kasave fiskale që tashmë po bëhen gati për aferën tjetër me këtë kompaninë fantazim kroate. Gjithçka ju rëndon mbi shpinë qafë dhe xhepa do anulohen. Do keni barazi para ligjit dhe me këtë taksë 0.5% do keni edhe kushte barazie se është një taksë relativisht e ulët. Për pjesën tjetër të biznesit, atë mbi 14 milionë, ne kemi taksën e sheshtë 9%. Po kështu ul informalitetin, rrit transparencën dhe e shpërndan barrën fiskale. Nuk janë më 30, 50 apo 100 biznesmenë që paguajnë gjithçka dhe të tjerët fshihen pas qeverisë”, tha Basha. /tvklan.al