Shfrytëzoi takimin e përjavshëm për bashkëqeverisjen për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të studentëve, me një grup prej të cilëve Kryeministri thotë se ka biseduar virtualisht deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Rama i siguron se VKM për përgjysmimin e tarifave është botuar në Fletoren Zytare.
“Deri në 3 të mëngjesit mbrëmë me qindra studentë që më mësynë Whatsapin. Mesazhe lloj-lloj, nga më vulgaret tek më prekëset dhe edhe jo pak për të qeshur me zë. Shumë thoshin s’kanë dalë VKM në Fletore Zyrtare. Por mjafton një klik http://qbz.gov.al dy sy për të parë.
E dyta që përsërisnin shumë prej tyre, mesa duket me porosi nga nondaja, ishte fjalia kur do plotesosh kërkesat! Kërkesat do plotësohen sipas afateve të publikuara dhe sipas zotimit brenda janarit do publikohet edhe Pakti për Universitetin, që shkon shumë përtej kërkesave.
Dhe e fundit për sa më ra më shumë në sy në atë dialog të pazakonshëm me lloj-lloj profilesh e pa asnjë lloj dorashke, siç më pëlqen mua, ishin ankesat e pafundme për pengmarrësit që nuk lënë shumicën të bëjë mësim. Kjo është e papranueshme e mund ta shtyjë mësimin në verë”.
Sa i takon tarifave të Masterit, Kryeministri përsërit se nuk mund të përgjysmohet. Përjashtim bëjnë vetëm studentët e ekselencës dhe ata që vijnë nga familjet në nevojë apo janë me aftësi të kufizuara.
Sipas Kryeministrit, është e qëllimshme dezinformimi që po ju bëhet studentëve në disa sekretari universitetesh.
Kryeministri akuzon pedagogë dhe rektorë të caktuar se po bëhen pjesë e një loje për të bllokuar procesin e mësimit për studentet që i janë kthyer auditoreve. Me emër të përvecçm flet për Rektorin e Universitetit të Tiranës.
Rama siguron se brenda Janarit do të jetë gati Pakti për Universitetet që do t’i nënshtrohet një procesi diskutimi të brendshëm në çdo fakultet.
Tv Klan