Vezë, jo për të goditur, por për t’u ngjizur e sjellë përbërjen e duhur nga ku mund të penetrohet më thellë në mekanizmat integruese evropiane. Kjo sipas porosisë së kryeministrit për të përzier e bashkuar të verdhën me të bardhën, thënë në takimin me studentët disa ditë më parë. Kanë përdorur zinxhirët, bilbilat, thirrjet dhe tani vezët në protestën e radhës përpara Kryeministrisë. Të mbështetur nga lëvizja “MJAFT” të rinjtë, që iu ka humbur ky vit studimi për në Itali, iu janë drejtuar selisë së qeverisë për t’i çuar përzierjen e kësaj mase njerëzve që pretendohet ta çojnë më herët Shqipërinë drejt Evropës.
“Kemi ardhur këtu që të ironizojmë një kryeministër i cili dje në takimin me ambasadorin italian nuk mbrojti interesat e atyre që e votojnë, e atyre që paguajnë taska për funksionin e tij, por mbrojti disa interesa të ndryshme dhe nuk e mbajti fjalën e dhënë për studentët siç tha që do të ndihmonte që ata ta merrnin vizën, por përkundrazi e ironizoi grupin studentor duke i cilësuar edhe si një grup që tentonte të prishte marrëdhëniet midis Shqipërisë edhe Italisë.”
Takimi i kryeministrit Nano me ambasadorin italian Iannucci i ka zhgënjyer të rinjtë.
“Thjesht ishin interesat e Fatos Nanos i cili tha se nuk duhet të prishen lidhjet me Italinë për shkak të një grupi studentësh që jo vetëm që nuk kërkojnë vizën, por prishin dhe fytyrën e shqiptarëve. Mashtrim, sepse ne na tha që do të na priste dhe deri tani nuk na priti fare. Për mua quhet një mashtrim i vërtetë.” /tvklan.al