Një grup qytetarësh protestoi në Gjakovë, në kundërshtim të vizitës së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse. Protesta u mbajt edhe pse organizatorët kanë deklaruar për mediat serbe se vizita e pelegrinëve është anuluar, për shkaqe sigurie.
Komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë autobus me pelegrinë serbë që është nisur për në Gjakovë.
Protesta kundër pelegrinëve serbë është thirrur nga qytetarët e Gjakovës, kryesisht familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit.
“Pa drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”, ishin disa nga parullat që këta qytetarë mbanin në duart e tyre.
Një ditë më parë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që sivjet t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës ta vizitojnë kishën.
Presidenti Thaçi e ka siguruar Kandiqin se do të angazhohet që liria e lëvizjes të garantohet për të gjithë, përfshirë edhe për ata pjesëtarë të komunitetit serb që duan të vizitojnë kishën apo shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova i ka kërkuar Thaçit të mos e lejojë vizitën e serbëve në kishën në Gjakovë.
Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar edhe sot në Facebook se ndjen dhe ndan dhembjen me të gjitha nënat kosovare për humbjen e më të dashurve të tyre./REL