Ashtu siç ishte paralajmëruar, përfaqësues të Opozitës dhe Aleancës për Teatrin u mbledhën ditën e sotme për rreth 2 orë në protestë para Bashkisë së Tiranës. Pas disa minutash nga nisja e protestës, u hodhën molotov dhe sende të tjera para godinës së Bashkisë së Tiranës.

I menjëhershëm ishte reagimi i forcave policore që bënë të mundur normalizimin e situatës. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Para godinës së Bashkisë së Tiranës kishte forca të shumta policore, të cilat kësaj radhe ishin përforcuar pasi kishte prani dhe të punonjësve të repartit “Shqiponja”.

Në minutat e fundit të tubimit, protestuesit vendosën litar për të tërhequr kangjellat metalike që bëjnë të mundur distancimin e uniformave blu me qytetarët, në mënyrë që këta të fundit të arrijnë të çajnë kordonin e sigurisë. Pak më vonë, protestuesit u shpërndanë.

Këshilltarët e Bashkisë Tiranë që protestonin kërkonin që të lejoheshin të hynin në institucion për të marrë përgjigje në lidhje me kërkesën e tyre për transparencë të fondeve. Tubimi përpara Bashkisë së Tiranës erdhi pas 3 urdhër-arresteve që SPAK-u lëshoi më 28 Mars për 3 drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.

Sipas këshilltarëve bashkiakë, Veliaj është pjesë e aferave në të cilën janë përfshirë disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës për abuzime me tenderat dhe përfitimet e milionave përmes kompanisë “5D”. Opozita dhe Aleanca për Teatrin kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe arrestimin e tij.

Gjatë ditës së sotme, uniformat blu kanë arrestuar 2 protestues që ishin në kërkim që nga tubimi i të premtes së shkuar, ku u hodh gjithashtu molotov në drejtim të godinës së Bashkisë Tiranë./tvklan.al