Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend në mënyrë të njëanshme pa konsensus me opozitën projektligjin për Ndryshimin e Kodin Zgjedhor për votën e diasporës në zgjedhjet e vitit 2025 si dhe për ndarjen e mandateve të deputetëve.
Në arsyetimin e mazhorancës së udhëhequr nga kryeministri Rama thuhet se në pamundësi të konsensusit me opozitën në grupin e dialogut, nisma e tyre adreson vetëm reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të cilat janë detyrim për Kuvendin. Propozimet e PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për formulën e re të përcaktimit të herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë/koalicionit janë depozituar me firmat e 7 deputetëve. Herësi sipas formulës së re nuk do të jetë më i madh se 7000 vota. Sipas propozimit të mazhorancës, thuhet në nenin 25/1 votimi i emigrantëve do të bëhet nëpërmjet postës.
“KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.”
Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Herësi, sipas formulës së re të propozozuar nga PS, në nenin 163, pika 3 nuk do të jetë më i madh se 7000 vota.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7.000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”
Me këto ndryshime në Kodin Zgjedhor socialistët synojnë mandatin e katërt qeveritar në zgjedhjet parlamentare të pranverës së ardhshme dhe në vijim realizimin e programit të kryeministrit Rama për Shqipërinë 2030.
Klan News