Votimi për imunitetin e deputetit Lesi vë në rrezik mazhorancën. Aleatët e Partisë Socialiste do të votojnë kundër heqjes së imunitetit. Kreu socialdemokrat Gjinushi e deklaroi këtë një ditë më parë, ndërsa Paskal Milo nga demokracia sociale thotë:
Paskal Milo: “Nuk duhet të kthehemi në përvojën negative të viteve të kaluara. Për sa i përket efekteve që mund të ketë në qeveri apo në mazhorancë diskutimi i heqjes së imunitetit zotit Lesi, kjo është një çështje e Partisë Socialiste, por unë besoj se do të ketë njerëz që nuk do të shkojnë, besoj, pas urdhrave, por do të pyesin ndërgjegjen e tyre me këtë rast.”
Deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe agrarët nuk do ta mbështesin heqjen e imunitetit të deputetit Lesi, ndërsa aleancisti Ceka nuk është shprehur ende për qëndrimin e tij në kuvend ashtu si dhe grupi parlamentar socialist i cili do të mblidhet të martën për të vendosur. Flitet se ligjvënësit socialistë nuk do të jenë unikë në qëndrimin e tyre, aq më shumë kur votimi për heqjen e imunitetit të Lesit është i fshehtë. Nga ana tjetër deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, jo vetëm që nuk do të votojnë heqjen e imunitetit të zotit Lesi, por ata kërkojnë që në të njëjtën seancë parlamenti të shikojë dhe imunitetin e kryeministrit Nano.
Spartak Braho: “Ka rast që kuvendi bashkë me imunitetin e zotit Lesi mund të kërkojë edhe imunitetin e zotit Nano.” /tvklan.al