Kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo deklaron se Partia Socialiste duhet të rikompozojë koalicionin për integrim dhe qeverinë duke përfshirë në të aleatë të natyrshëm dhe duke lënë mënjanë konsensuset e dyshimta. Eksperienca negative e funksionimit të deritanishëm të koalicionit ka bindur aleatin e socialistëve për të mos bërë më pjesë në marrëveshjet që trajtojnë partnerët si apendiks për zgjedhjet elektorale.

Paskal Milo: “Demokracia sociale nuk është se është kundër një rikompozimi të qeverisë me figura potenciale të së majtës për të përballuar dimrin e vështirë qeverisës që kemi përpara apo edhe sfidën e ardhshme elektorale. Kjo është një nga rrugët për të qëndruar së bashku, për të punuar së bashku, por gjithnjë vetëm në një koalicion real, në një koalicion që do të diskutojë vazhdimisht në një tryezë të rrumbullakët. Koalicioni dhe partitë e tij nuk konsultohen për asgjë dhe gjithmonë gjendet kohë për të nënshkruar marrëveshje apo për të patur konsultime të vazhdueshme, të dyshimta, me Partinë Demokratike për çështje thelbësore siç është edhe ajo për kodin zgjedhor. Nëse dikush do të përpiqet që demokracinë sociale ta trajtojë si një apendiks për të realizuar synimet elektorale, ne nuk do ta pranojmë këtë gjë, ne do të bëjmë koalicione të ndershme.”

Në shtator, me hapjen e sesionit të ri parlamentar, demokracia sociale do të dalë e vetme, por Milo lë të hapur shtegun për aleanca parazgjedhore, qoftë dhe me partinë e re të socialistëve, që, sipas tij, nuk shkakton humbje të së majtës, por vetëm rrjedhje të elektoratit socialist.

Paskal Milo: “Nuk do të marr pjesë në asnjë grupim tjetër parlamentar.”

Ndryshimet e përfolura në shtyp për postin e nënkryetarit të kuvendit, ish-socialdemokrati Milo pranon se kreu i mazhorancës po përmbush premtimin e para 3 viteve me partnerin preferencial për të zgjidhur kështu aritmetikën në kuvend.

Paskal Milo: “Janë një variant i vjetër, madje 3-vjecar, i tratativave midis Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Socialiste dhe ka qenë një nga arsyet kryesore që ka shkaktuar dhe pakënaqësinë e zotit Apostoli gjatë këtyre 3 viteve që kanë kaluar. Me sa duket zoti Nano, gjithnjë flas me rezerva, i është rikthyer kësaj ideje të vjetë,r me qëllim që të kënaqë zotin Gjinushi dhe zotin Apostoli dhe të sigurojë në këtë mënyrë tri votat e Partisë Socialdemokrate, në rastin kur gjatë muajit shtator ai do të ketë nevojë për mbështetje brenda koalicionit, në rastin e një mocioni mosbesimi.” /tvklan.al