Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kryeqyteti i shqipërisë Tirana, i cilësuar si një metropol ka vënë në lëvizje dy forcat më të mëdha politike në vend PS dhe PD për të gjetur një kryetar Bashkie. Në PS ndoshta për të parën herë gjatë zgjedhjeve të fundit brenda saj po punohet që me gjithë klanet e mundshme që ekzistojnë në këtë forcë politike, propozimet për kandidatin të shoshiten në bisedime të lira jashtë tryezave  institucionale. Por deri tani grupet brenda PS janë shfaqur me propozime të ndryshme.

Sipas burimeve të sigurta njeri grup që është edhe kundër Nanos edhe kundër Metës do të propozoj për kandidat ish-kryeministrin Pandeli Majkon. Vetë kryeministri Ilir Meta dhe ata që e mbështesin kanë përgatitur për kandidatur për kryetar bashkie ministrin e Kulturës Edi Rama. Por ekziston edhe nje tjetër  propozim, i cili rrjedh nga pakënaqësitë që kanë mbështetësit e dikurshëm të Nanos në kryesi. Ky propozim eshte per Arben Malaj.

Ndërsa vetë Nano në këto propozime të mundshme duke menduar për partinë ka gjasa që të mbështesë ish-kryeministrin Pandeli Majko, pasi ai ende ruan një kredibilitet tek votuesit. Por debatet dhe pakënaqësitë në PS rreth çështjes së kryetarit të bashkisë së Tiranës duken se do të sheshohen brenda grupeve, për të mos ngjallur edhe njëherë teorinë e klaneve./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari