Me anë të një letre drejtuar KQZ-së Partia Socialiste ka shprehur dakordësinë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit. Socialistët propozojmë që votimi elektronik krahas këtyre qarqeve të zhvillohet edhe në qarkun e Tiranës.

Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjinuri thekson se Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon 37 mandate deputetësh në listat shumëemërore të hapura ndaj, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.

Nga ana tjetër për socialistët votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit, por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

Si shembull përmendet modeli pilot i identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021 në njësinë 10 në kryeqytet. Po ashtu përmendet fakti se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës dhe po ashtu afërsi të KQZ-së me zonat zgjedhore.

Sipas partisë në pushtet në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, votimi elektronik duhet që të zhvillohet vetëm në qarkun e Tiranës.

Klan News