Gjykata Kushtetuese nuk do mund të shqyrtojë mocionin e deputetëve demokratë për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Shumica socialiste tha se nuk kishte marrë një vendim politik për këtë çështje, por 65 deputetë të maxhorancës treguan unitet në abstenimin e tyre, duke rrëzuar për herë të tretë kërkesën për dërgimin në Kushtetuese të mandatit të koleges së tyre.
Pas votimit që përfundoi 40 minuta pas mesnatës, kryeparlamentarja lajmëroi që këtë të premte do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion, për t’u qartësuar se ku fillon dhe ku mbaron vullneti i deputetit, kur bëhet fjalë për të votuar vendime të Gjykatës Kushtetuese që janë të detyrueshme për çdo individ dhe institucion.
“Pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, deklaroi Spiropali.
Gazmend Bardhi, përpara votimit këmbënguli të lexoheshin të dy raportet e anëtarëve të Këshillit të Legjislacionit, gjë që nuk u pranua nga kryeparlamentarja.
“Raportet janë në faqe dhe janë bërë pjesë e rendit të ditës”, tha kryeparlamentarja.
Bardhi, që la të kuptohet se e dinte rezultatin e votimit, tha se moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses nënkupton kapitullim të shtetit ligjor.
“Nëse vendimmarrja juaj është ajo që keni udhëzuar deputetët, këtu merr fund parlamenti, këtu merr fund Gjykata Kushtetuese, këtu merr fund shteti ligjor”, tha Bardhi.
Me dy vendime të njëpasnjëshme, i fundit në Korrik të këtij, viti Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që ta çonte pranë saj mocionin për mandatin e Olta Xhaçkës. Për këtë të fundit, demokratët pretendojnë se mandati i saj është në papajtueshmëri me Kushtetutën, pasi ka përfituar para publike si bashkëshorte e investitorit strategjik Artan Gaçi, çka mohohet kategorikisht nga Xhaçka.
Tv Klan