Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën elektorale është shndërruar në shkak për shpërthimin e krizës brenda koalicionit të majtë, si dhe kërcënon vendin për zgjedhje të parakohshme. Pavarësisht qëndrimit të partive të vogla, Partia Socialiste është e vendosur në ngritjen e këtij komisioni.

Gramoz Ruçi: “Elmaz Sherifi, Ylli Bufi, Maqo Lakrori, Petro Koçi dhe Sotir Koeri. Tre janë të tre grupeve parlamentare aleate të koalicionit për integrim. Mirëpres kontributet e aleatëve tanë politikë në komisionin parlamentar për çështjet e implementimit të kodit”.

Gazetarja: Aleatët tuaj kanë deklaruar zoti Ruçi, që nuk do të marrin pjesë në këtë komision, do të thotë që mund t’i zëvendësoni me deputetët e PS?

Gramoz Ruçi: Sigurisht komisioni do të funksionojë”.

Sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi nuk ka shmangur zgjedhjet e parakohshme, por a është kjo çështje në rend të ditës për socialistët, apo manovër për të çoroditur kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë, numri 2 i socialistëve deklaron, se zgjedhjet janë alternativë meqenëse nuk funksionon mazhoranca parlamentare.

Gramoz Ruçi: “Në kushtet kur PS ka marrë një mandat politik, me 75 deputetë dhe kur një pjesë e kolegëve deputetë të PS nuk e ushtrojnë mandatin që u ka dhënë elektorati i PS në institucionin e parlamentit, për të plotësuar mandatin qeverisës në 2005, çfarë bëhet tjetër? Veç kësaj PS ka një garanci më shumë, garancia është koalicioni për integrim. Kur numrat e këtij koalicioni për integrim nuk ushtrojnë mandatin për të cilën kanë firmosur, janë zotuar, janë angazhuar, çfarë bëhet tjetër?”

Aleatët e PS kanë qëndrim ndryshe, ashtu sikundër socialdemokrati Gjinushi dhe aleancisti Neritan Ceka, mendon se zgjedhjet e parakohshme janë një aventurë pa krye.

Neritan Ceka: “Të flasësh për zgjedhje të parakohshme është si të flasësh si e ëma e Zeqos në majë të thanës i thonë. Edhe PS duhet të kuptojë që nuk ka më asnjë parti në Shqipëri që do të fitojë më shumë se 50% të votave dhe të vendeve në parlament, kështu që është mirë të kthehet në dimensionet që i ka dhënë populli shqiptar në tetor, i ka dhënë vetëm 34% të votave, mund t’i japë edhe më pak dhe mund të pësojë një katastrofë të merituar, në qoftë se do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme vetëm për interesat partiake”.

Ndërsa deputeti i PBDNJ Karamelo, i cili është më afër PD se lidershipi i kësaj partie Dule, vlerëson zgjedhjet e parakohshme, nëse përgatitet infrastruktura e nevojshme.

Ligoraq Karamelo: “Situata politike kërkon zgjedhje të parakohshme, por jo zgjedhje të parakohshme thjeshtë për të tatuar pulësin dhe për të frikësuar aleatët ose të tjerët, por zgjedhjet e parakohshme duhen bërë me një infrastrukturë të përgatitur, me një kod zgjedhor të përshtatshëm”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj