Opinioni i Venecias nuk mundi t’i jepë zgjidhje konfliktit që kanë mazhoranca dhe opozita për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka thotë se Komisioni i Venecias u jep të drejtë socialistëve që abstenuan mbi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të mos ia dërguar asaj shqyrtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi në opinion shprehet qartë, sipas saj se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar.
“Komisioni i Venecias konstaton, për më tepër, se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Sikurse organet e Kuvendit kanë theksuar disa herë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të bëhen objekt vlerësimi nëse zbatohen apo jo, Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e O.XH. nuk duheshin kushtëzuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre.
Me fjalë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën. Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se sipas jurisprudencës së vetë Gjykatës Kushtetuese shqiptare, Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës. Kjo do të thotë kur deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre. Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi (neni 70/2 i Kushtetutës).”
Por ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat e sheh mendimin e ekspertëve të Venecias si shuplakë ndaj mazhorancës dhe konfirmim se qëndrimi i socialistëve për Xhaçkën ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.
“Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.”
Në çdo rast, opinioni i Komisionit të Venecias nuk është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por ai do të shërbejë si bazë ndaj marrëdhënieve të mëtejshme mes Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit.
Tv Klan