Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Selia e Partisë Socialiste edhe sot ka qenë epiqendra e diskutimeve rreth projektplatformës së PS për fushatën e zgjedhjeve lokale e cila është paraqitur nga Ministri i Kulturës Edi Rama. Sot Kryetari Socialist Nano ka mbledhur sekretarët e tij për të diskutuar rreth një tjetër platforme e cila është përgatitur nga grupi i punës së kryesisë që përbehet nga Luan Rama, Arben Malaj, ministrat Meksi, Ruka dhe që bën fjalë për marrëdhëniet e PS me publikun dhe vecanërisht me shtypin.

Por nga më kryesoret e selisë rozë mbetet projekt-platforma e Edi Ramës. Për të diskutuar rreth projektplatformës së Edi Ramës sot në selinë e PS ka mbërritur Kryeministri Meta, Ministri Kulturës Rama, Ministri Privatizimit Muçi dhe Ministri i Pushtetit Lokal Fino.

Dokumentacioni bazë ku do përqëndrohet fushata e aleancës për shtetin është vlerësuar nga krerët e PS si shumë e saktë. Ministri Rama i ka grumbulluar këto të dhëna nga ministrat përkatës ndërsa ka detajuar dhe premtimet që janë bërë në fushatat e 97-98 si dhe faktin që disa nuk janë mbajtur.

Këtë ministri Rama e argumenton me faktin se Qeveria nuk duhet të kishte filluar shumë projekte paralelisht. Ndërsa problem për momentin mbeten dritat, uji dhe rrugët. Në takimin e sotëm mësohet se ka pasur debate midis Ministrit Rama dhe kryetarit te PS, Fatos Nano per disa deklarata të pakontrolluara nga krerët e PS./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari