Një ditë pas mbledhjes së asamblesë kombëtare të socialistëve, deputeti Andis Harasani ka ripërsëritur qëndrimin e grupimit të njohur si oponentët e kryetarit, për të qenë në parlament brenda afateve kushtetuese në mënyrë që të bëjnë një opozitë të fortë  për ta çuar PS-në në fitoren e zgjedhjeve lokale dhe rrëzimin e qeverisë Berisha. I pyetur mbi mundësinë e një çregjistrimi na partia në rastin e shkeljes së vendimit politik për të thyer bojkotin parlamentar, Harasani shprehet i bindur se kryetari Rama nuk do të mund ta ndërmarrte një veprim të tillë.

Andis Harasani: “Nuk mund të ketë çregjistrim nga partia sepse ne po respektojmë ligjet e shtetit shqiptar dhe kushtetutën e shtetit shqiptar. Statuti nuk thotë në asnjë pikë dhe në asnjë moment çregjistrim të deputetëve që shkojnë në parlament. Në qoftë se ju gjeni këtë pikë në statut besoj se i referoheni ndonjë statuti të ndonjë partie tjetër jo të PS-së.”

Deputeti socialist i qarkut të Tiranës u shpreh optimist se përpara datës 7 mars,  në sallën e parlamentit nuk do të bëjnë betimin vetëm 5 deputetët e njohur si “Lëvizja për mendimin ndryshe” brenda partisë, por dhe të mandatuar të tjerë nga elektorati socialist në 28 qershor.

Andis Harasani: “Ne do hyjmë në parlament në një kufi logjik. Jam shumë optimist me atë çka pashë në mbledhjen e fundit në mbledhjen e asamblesë. U pa qartë që shumica e grupit parlamentar domethënë gjithë grupi parlamentar ndan të njëjtin opinion me ne që duhet të hyjmë në parlament, jo thjesht për ti bërë sfidë vendimit të gabuar të kryetarit në detyrë, por sepse u provua që me bojkot nuk arritëm dot as zgjedhjet e parakohshme, nuk arritëm dot as hapjen e kutive dhe besoj që shumica e grupit parlamentar të PS-së duhet të marri pjesë në parlament. Fjalimi i djeshëm i kryetarit në detyrë për mendimin tim nuk ishte as racional, as intelektual, por ishte thjesht një fjalim emocional. Në radhë të dytë nuk ka më rëndësi sa do jetë numri ose kush do jenë emrat e veçantë, rëndësi ka që Shqipëria ka nevojë për një opozitë reale.”/tvklan.al

Gazetare: Elia Zotka