Tashmë është zyrtare. Partia Socialiste i dha fund bojkotit të gjatë parlamentar dhe nesër deputetët e saj do të jenë në Kuvend për të bërë betimin.

Nuk është thashethemnaje, por një vendim i bërë publik nga vetë Edi Rama, në një mbledhje që zhvilloi me grupin parlamentar socialist në selinë rozë, në një fjalim afro 15 minuta të gjatë, të cilin mund ta kishte mbajtur edhe 8 muaj më parë, me 29 Qershor.

Edi Rama: “Në respekt të të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtar të opozitës, që tani më na mbështesin hapur në betejën tonë kushtetuese e demokratike për transparencë. Ne nesër do ti japim një shans zgjidhjes së krizës përmes Parlamentit dhe një shenjë të qartë të vullnetit tonë konstruktiv të gjitha palëve. Nesër do t’ia lejmë publikisht në dorë Sali Berishës. I takon shumicës në sallë të vendosë pas kësaj, nëse e do edhe opozitën në sallë apo e do bashkë me popullin në rrugë. Deri kur në këtë vend të vendoset një e drejtë që ne nuk kemi ndërmend ta lejmë peng për asnjë arsye në botë. Me mandatin e popullit opozitar deputetët e PS-s do të udhëheqin hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral, ose nëse në Parlament nuk ka veshë për të drejtën tonë deputetët do të jenë në krye të protestave pa ndalim për të çliruar zgjedhjet. Që  nesër nuk do të mund të thonë dot as që PS-ja nuk njeh parlamentin, as që deputetët e PS-s i dogjën mandatet se duan të djegin Shqipërinë evropiane dhe as që PS-ja kërkon një gjë që nuk bëhet. Sepse nuk kërkova transparencën e zgjedhjeve po dashka pushtetin pas zgjedhjeve. Në më pak se 6 muaj ne e kemi bërë çështjen e transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri një çështje të agjendës evropiane për Shqipërinë. Nesër është dhe dita për të krijuar një mundësi më shumë që komuniteti ndërkombëtar të shohë edhe më mirë e të kuptojë edhe më shumë shkaqet e kësaj krize si një krizë e demokracisë shqiptare që është marrë peng tek zgjedhjet, jo si një krizë juridike procedurale mes dy palëve.  Në më pak se 6 muaj ne kemi bërë çështjen tonë një çështje që të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se nuk mbyllet pa u zgjidhur dhe që mbarë komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar se nuk e kemi hapur ta mbyllur, por për ta zgjidhur. Nesër ne do të jemi në Parlament, jo për ta ndërprerë betejën për kutitë, por për ta çuar përpara këtë betejë, që nuk e kemi parë për asnjë çast si luftë palësh, po si përpjekje në interes të të gjitha palëve. Nuk shkojmë në Parlament për të dal, por as për të ndenjur pa u hapur kutitë. Duam të zbardhim krimin elektoral tanimë që Shqipëria dhe bota m,barë përfshirë edhe vetë OSBE-në që ka shkruar raportin e zgjedhjeve, kërkojnë hetimin parlamentar të plotë dhe të hollësishëm. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa diçka që … më në botën demokratike. Ku jetojnë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar të NATO-s apo BE-së. Një parim jo një pazar, një të drejtë jo një favor, një vend ku zgjedhjet të mos i vendos fuqia shtrembëruese e korrupsionit, por gjykimi i popullit sovran.”

Ndërprerja e bojkotit vjen pas një presioni të fortë e të vazhdueshëm të të gjithë institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare dhe të deputetëve socialistë të grupuar në “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe”.

Vjen vetëm 1 ditë pas qëndrimit të qartë dhe të prerë të Delegacionit të Nivelit të Lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se bojkoti duhet të marrë fund.

Vjen vetëm një javë para skadimit të afateve kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve socialistë dhe vetëm pak muaj para vendimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për shqiptarët.

Ndërprerja e bojkotit i jep fund ngërçit politik, po jo problemeve në Partinë Socialiste.

Burime brenda grupit parlamentar socialist bëjnë me dije se deputetët e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” i kanë kërkuar Edi Ramës, menjëherë pas fjalimit, që të japë dorëheqjen nga kreu i partisë, jo vetëm pse humbi zgjedhjet, por sepse humbi edhe betejën me bojkotin./tvklan.al