CIA bëri publike të mërkurën arkiva të rëndësishme të Osama Bin Ladenit që përmbajnë dokumente dhe video. Materialet ishin konfiskuar në Pakistan gjatë operacionit amerikan të vitit 2011 në të cilin u vra kreu i al-Kaidës. Sipas studiuesve të cilët kanë pasur qasje në dokumentet e deklasifikuara, mes tyre përfshihet edhe një video e dasmës së njërit prej djemve të Bin Laden si dhe disa ditare të xhihadistëve.
Ky botim
“u jep amerikanëve mundësinë për të ditur më shumë rreth projekteve dhe funksionimit të kësaj organizate terroriste”,
tha drejtori i agjencisë së inteligjencës amerikane Mike Pompeo.
CIA ka postuar 470 mijë fotografi e dokumente të tjera të realizuara në maj 2011, kur ushtria amerikane bastisi një kompleks në Abbottabad, një qytet pakistanez, ku dhe qëllua për vdekje kreu i rrjetit ekstremist.
“Këto dokumente do të ndihmojë shumë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve që ne kemi ende lidhur me udhëheqësin e Al Kaidës”,
tha Bill Roggio, një nga studiuesit e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive i autorizuar për të të studiuar arkivat që përpara publikimit.
Videoja e martesës së Hamza Bin Ladenit, me sa duket e xhiruar në Iran, jep edhe imazhin e parë të djalit të preferuar të Osama Bin Ladenit në moshë të rritur.
/ABC News