Planifikonte të hakmerrej për të atin
Vetëm pak muaj pasi ishte futur në listën e të shumëkërkuarve nga Shtetet e Bashkuara, Hamza bin Laden, i biri i ish-kreut të Al-Kaedës, Osama bin Laden, dyshohet se është vrarë në një sulm ajror.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane që citojnë zyrtarë të Inteligjencës. Por ende nuk ka një konfirmim zyrtar dhe detaje rreth eliminimit të djalit të ish-njeriut më të kërkuar të botës.
Hamza bin Laden mendohet se ishte rreth të 30-ave dhe shihej si pasardhësi i babait të tij në krye të organizatës terroriste. Vitet e fundit ai ishte mjaft aktiv përmes mesazheve video dhe audio, ku bënte thirrje për sulme ndaj SHBA-ve dhe vendeve perëndimore.
Në muajin Mars, qeveria amerikane vendosi një çmim prej 1 milion dollarësh për kokën e tij, shumë larg 25 milionëve që ishin vendosur për kapjen e organizatorit të 11 Shtatorit 2001, Osama bin Ladenit.
Që pas vrasjes së të atit në Pakistan, në vitin 2011, Hamza dyshohet se ka jetuar midis Iranit, Aganistanit dhe Pakistanit. Sipas shërbimeve sekrete amerikane gjatë gjithë kësaj kohe, ai është trajnuar nga celulat e Al- Kaedës dhe në mendje ka pasur vetëm hakmarrjen.
Tv Klan