Ministria e Turizmit dhe Mjedisit propozon që punonjësit sezonalë të industrisë së turizmit në vitet e ardhshme të paguhen edhe në muajt jashtë sezonit.

“Këtë parashikon strategjia e re e turizmit 2024-2030 sipas së cilës kjo mbështetje financiare që do të jepet nga qeveria do të ndihmojë në ruajtjen e forcës punëtore të kualifikuar”, raporton gazetarja Dorina Halili.

Që kjo masë të bëhet e zbatueshme, do duhen të ndërmerren nisma ligjore.

“Për të mundësuar mbajtjen e forcës punëtore, si dhe për të mbështetur punonjësit sezonalë dhe për të siguruar stabilitetin e tyre financiar gjatë të gjithë vitit, është e rëndësishme të zbatohet një masë që ofron përfitime të vazhdueshme nga punësimi dhe mbështetje financiare gjatë periudhave jashtë pikut.”

Unioni Turistik Shqiptar thotë se ky propozim është një kërkesë e vazhdueshme e vetë sektorit dhe kryesisht ka të bëjë me bizneset hoteliere në bregdet që mbyllen pas sezonit.

“Më në fund është përfshirë në strategjinë e turizmit, nëse do zbatohej do ishte mjaft e mirë sepse është një nga kërkesat e kahershme.”

Një shembull të mirë për këtë mbështetje financiare na e jep shteti fqinj, Greqia.

“Kryesisht nëpër ishuj aplikohet kjo skemë, dhe shteti u paguan pagën minimale. Ne kemi kërkuar që mirë do ishte të paguhej paga minimale në Shqipëri me qëllim që këta punonjës të mos largoheshin nga industria.”

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ky kompensim financiar do të stimulojë edhe punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese.

Tv Klan