Vladimir Putin po pret kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për të bërë hapin e radhës ndaj Ukrainës, teksa leja që Joe Biden i dha Kievit për përdorimin e artilerisë amerikane me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar territorin rus nxiti shefin e Kremlinit të bëjë gati armët bërthamore.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Putin është gati të ulet në bisedime me Trump për një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë. Reuters citon burime me njohje pranë Kremlinit, që thonë se një nga variantet për fundin e shpejtë të kësaj lufte siç është zotuar Trump dhe që mund të pranohet edhe nga Putin, është që ushtria ruse të tërhiqet nga disa territore në lindje të Ukrainës, në Harkiv dhe Mikoaliv.

Presidenti rus nuk është i gatshëm për shumë lëshime dhe e ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet më nga Donjecku, Luhansku, Zaporizhia apo Hersoni që tashmë pjesë përbërëse të Rusisë. Lufta do të vazhdojë po ashtu, nëse Kievi nuk heq dorë nga planet për t’u anëtarësuar në NATO.

Ndërkaq, administrata Biden e quajti “retorikë papërgjegjshmërie” vendimin e Moskës që çdo sulmi ndaj territorit rus apo atij bjellorus, t’i kundërpërgjigjet edhe me armë bërthamore. Sekretarja për shtyp e Pentagonit, Sabrina Singh sqaroi se leja për të përdorur artilerinë amerikane me rreze të gjatë veprimi kundër territorit rus ishte e nevojshme t’i jepej Ukrainës si kundërpeshë për përforcimet që ushtria ruse ka marrë me trupa nga Koreja e Veriut.

Tv Klan