Ngjarja tragjike në shkollën “Fan Noli” ku mbeti i vrarë nxënësi 14-vjeçar, ka bërë që në shkollat e kryeqytetit këtë javë të nisë shpërndarja e një pyetësori për prindërit në lidhje me sigurinë në shkolla. Pyetësori është i ndarë në 6 shtylla kryesore, ku prindërit mund të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e situatës në lidhje me sigurinë, por jo vetëm.

Pasi veç sigurisë në ambientet e shkollave u është kërkuar mendim edhe në lidhje me problemet që ka mësimdhënia, kurikulat, infrastruktura e shkollës, aktivitetet sociale dhe sportive, si dhe ndryshimet që ata propozojnë për komunitetin dhe këshillin e prindërve në shkollat e tyre.

Ky pyetësor është në vazhdimësi të fushatës së këshillimit që ka nisur qeveria dhe Ministria e Arsimit me prindër dhe mësues në lidhje me ndikimet negative dhe rreziqet nga rrjetet sociale, sidomos Tik Tok dhe Snapchat.

Prindërve u është kërkuar që këtë pyetësor ta plotësojnë brenda datës 4 Dhjetor dhe më pas do bëhet një përmbledhje e të gjitha shqetësimeve dhe mendimeve që ata kanë dhënë.

Ndërkohë që qytetarë, prindër dhe aktivistë vijojnë me protestat e pas ngjarjes së rëndë në afërsi të shkollës “Fan Noli”. Ditën e martë më 3 Dhjetor, në orën 18:00 pritet të zhvillojnë protestën e katërt.

Protestuesit kërkojnë masa më të forta sigurie në shkolla dhe përgjegjësi nga institucionet. Në debatet publike, janë propozuar shtimi i numrit të psikologëve, oficerëve të sigurisë, por edhe qëndrimi deri në orën 16:00 i fëmijëve në shkolla, duke e mbushur ditën me aktivitet edukative, sportive dhe kulturore.

Klan News