10 ditë nga ngjarja e shkollës “Fan Noli”, prindër, nxënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur sërish në vendin ku humbi jetën 14-vjeçari, aty ku qirinjtë vijojnë ende të ndizen.
Protestën e tyre të tretë ata e nisën nga shkolla “Fan Noli” në një marshim drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar më shumë psikologë në shkolla si dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit, si mosreagim për ngjarjen e 14-vjeçarit.
“Kemi arritur të fitojmë një betejë për të rishikuar çështjen, por fëmijët tanë mbeten po të rrezikuar si 10 ditë më parë. Zyrtarja e cila mban karrigen duhet të dalë dhe të japë dorëheqjen”.
“Kush e garanton sigurinë e më të dashurve tanë?”
“Në shkollat tona po iu tregohet se çfarë të drejtash kanë fëmijët, por çfarë përgjegjësie nuk iu tregohet”.
Teksa paralajmëruan protesta edhe jashtë Tiranës, në Lezhë dhe në Elbasan, si një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtimin e 14-vjeçarit, ata kërkuan që shkolla ku i mituri mësonte të marrë emrin e tij.
Tv Klan