Në një takim me prindër e mësues në Kamzë, kryeministri Edi Rama u ndal te vrasja e 14 vjeçarit pak kohë më parë në kryeqytet. Sipas tij, kjo ngjarje dhe ajo e Pogradecit ku humbi jetën Egli Proga, janë përdorur nga politika e mediat në mënyrën më abuzive të mundshme.
“Vrasjet e njerëzve të pafajshëm që janë të rralla e tronditëse, por merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur ndjenjën e pasigurisë, por këtu nuk ka pasiguri. Dy vrasje që kanë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe kjo e 14 vjeçarit janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik. Sidomos kjo e fundit. Duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policise së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht kjo vrasje është e regjistruar në video, jo vetëm që është hetuar nga Prokuroria, por është me video. Nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhr siç mund të thotë imagjinata kur vetvetiu njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje nga ku për fatin më të keq është shkaktuar vdekja e një fëmije. Ky është fakti! Përtej TikTokut është edhe çmenduria mediatike që nxitet nga poltika dhe nevoja për audiencë, për ta përdorur shqetësimin te prindërit duke i mabjtur pas ekranit, duke treguar historira”, tha Rama.
Ai ritheksoi se qeveria po punon me projektin efikas për sigurinë në shkolla, që është ai i monitorimit me kamera inteligjente.
“Kemi një vit që po punojmë me një projekt që do na japë një dorë të madhe që është i sigurisë së lartë të shkollave përmes sistemit të kamerave inteligjente që falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara. Do kemi në dorë një pasqyrë të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve.”
Kujtojmë se ngjarja tragjike ndodhi më 18 Nëntor pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Një i mitur u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas një sherri banal që u iniciua në rrjetet sociale. Rast që u pasua me një sërë reagimesh të ashpra dhe protesta nga ana e prindërve.
/tvklan.al