Autostrada Tiranë-Durrës është kthyer në një nga segmentet më të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve dhe udhëtarëve. Rruga me 4 korsi dhe e destinuar për shpejtësi të mëdha nuk ka asnjë ndryshim nga unaza e kryeqytetit e para pak vitesh. Në aksin që lidh kryeqytetin me portin më të madh në vend, ligjin tashmë e bëjnë furgonat.

Këto janë pamjet  e  një prej aksidenteve të ndodhura para pak ditësh në këtë aks si pasojë e vendqëndrimit të gabuar të furgonit të pasagjerëve. Por edhe pse u plagosën 9 persona, askush nuk është kujdesur për të parandaluar fenomenin.

Furgonat vijojnë të shkelin hapur  kodin e qarkullimit rrugor duke e kthyer autostradën në një shërbim taksi për banorët e fshatrave përgjatë saj.  Stacionin mund ta zgjedhin vetë pasagjerët, preferencat e të cilëve nuk kanë nevojë për koment.

Koço Simaku: “Është një shkelje që e konstatojmë përditë, drejtuesit e këtyre mjeteve në mënyrë të pa përgjegjshme qëndrojën edhe për një pasagjer të vetëm në mënyrë të befasishme duke qenë burim i sigurtë për aksident.”

Policia është mjaftuar me vënien e disa gjobave, masë që nuk është marrë seriozisht nga drejtuesit e furgonëve, papërgjegjshmëria e të cilëve duket të jetë me e fortë përballë ligjit dhe autoriteteve që e zbatojnë atë.

“Masat janë të tilla që ndëshkohen vetëm me gjobë dhe nuk ka stacion plotësues. Përjashtohen rastet kur ka kalime të shpejtësisë. Këto mjete duhet të ikin nga qarkullimi i shërbimit publik, pasi në të gjithë botën nuk ekziston shërbim 8+1 përveç se këtu tek ne.”

Në fund të ditës duhet thënë “Kujdes”, rruga drejt kryeqytetit është plot të papritura dhe siguria për jetën i  duhet besuar vigjilencës së gjithë secilit deri në mbërritjen shëndoshë e mirë në destinacion./tvklan.al