Prej 1 korrikut plot 536 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë nga rritja e pensioneve. Pensionistët në fshat përfitojnë rritjen më të madhe në masën 15%, ato në qytet rriten me 10%.

Në fshat pensionet e plota minimale nuk do të jenë më të ulëta se 5200 lekë në muaj, ndërsa në qytet jo më pak se 9500 lekë. Efekti financiar që përfshin rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve është përllogaritur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe arrin për këtë vit në shumën e 35 milion dollarëve amerikan.

Evelina Koldashi: “Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar përllogaritjen e rritjes së pensioneve në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave  në masën 10% për pensionet e qytetit, 15% për pensionet e fshatit dhe 5% për të gjitha trajtimet e veçanta dhe pensionet suplementare. Duke filluar që nesër pranë zyrave të postës, do të tërheqin pensionin e invaliditetit, ndërkohë që pranë bashkive do të tërheqin pagesën e paaftësisë e cila dhe ajo ka pësuar rritjen përkatëse.”

Krahas rritjes së pensioneve 1 korriku vjen edhe me shtesa në pagat e buxhetorëve nga 4-17%. Në këtë mënyrë realizohet një nga premtimet kryesore të qeverisë Berisha, rritjen e nivelit të pagave dhe të pensioneve./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro