Fëmijët e rrugës janë ndoshta pjesa më e pambrojtur pasi janë më të ekspozuar keqtrajtimeve apo trafikimit. Me qëllim largimin nga rruga si dhe mbrojtjen e këtyre fëmijëve, qeveria e Greqisë ka ofruar një grand për 2 organizata, TEREZOM dhe ARSIS, që në fokusin e tyre kanë mbrojtjen e fëmijëve të rrugës. Me këtë rast ambasada e Greqisë në Tiranë dha një njoftim për media ku ishin të pranishëm ambasadori grek Nikolas Pazios, zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Nikolas Pazios: “Jam shumë i lumtur që sot përpara jush po celebroj dhënien e grantit që qeveria greke po jep për 2 organizata në mbrojtje të fëmijëve duke i ndihmuar dhe mbështetur për integrimin e këtyre fëmijëve në jetën shoqërore të vendit. Shpresojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.”
Në emër të qeverisë shqiptare përshëndeti zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi e cila vuri theksin në rëndësinë që kanë të tilla projekte për shtresat në nevojë.
Iva Zajmi: “Janë fëmijë janë si gjithë të tjerët, fëmijë të cilët kanë nevojë të rriten ashtu siç duhet, kanë nevojë që dikush t’i shkëpusë nga rruga. Kështu që është shumë e rëndësishme asistenca që jepet në këtë drejtim dhe ne falënderojmë qeverinë e Greqisë po njëkohësisht edhe 2 organizatat që janë prezente këtu të cila kanë qenë shumë serioze në kryerjen e këtij misioni.”
Fëmijët e rrugës në Shqipëri mbetet një problem shqetësues për të gjitha organizatat. Sipas tyre, në rrugët e Shqipërisë numërohen më shumë se 1 000 fëmijë që jetojnë në rrugë./tvklan.al