Pas vendimit për të mbyllur përkohësisht platformën e TikTokut për 12 muaj, Kryeminsitri Rama ka sqaruar se masa e qeverisë ka ardhur pas konsultave të gjera me prindër e mësues.
Në një postim në rrjetin social X, Rama sqaron se është në dialog pozitiv me kompaninë TikTok, që sipas tij pritet të vizitojë Shqipërinë për të prezantuar masa të reja sigurie për fëmijët.
“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”.
Por Sali Berisha në një dalje urgjente nga selia blu iu kundërpërgjigj vendimit të qeverisë me thirrjen e një protsete kombetarë në 15 Mars, duke e cilësuar akt censure në kulmin e fushatës elektorale.
“Një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. datën 15 Mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para Kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut”.
Nisma e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok për një vit erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë.
Tv Klan