Para 2 ditësh qeveria miratoi ndryshimet në ligjet për sportin, parashikon masa ndëshkimore për ata që trukojnë rezultatet e ndeshjeve sporteve, për ata që përfitojnë financiarisht duke trukuar ndeshjet si dhe për ata sportistë që përdorin doping duke bërë që rezultatet e garave të mos jenë reale. 

Por të interesuarit direkt për këtë ligj janë ende të painformuar zyrtarisht. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar e pranon këtë fakt duke shtuar se masat ndëshkimore janë të forta, por të pranueshme.

Stavri Bello: “Çdo federatë, qoftë dhe ne si komitet olimpik duhet t’i integrojmë në statutet tona pikërisht këto që parashikojnë 2 nene të ligjit të ri lidhur me fiksimin e rezultateve. Nuk është e mjaftueshme vetëm ky parashikim me ligj, por ne duhet të gjithë së bashku të luftojmë këtë fenomen i cili nuk është vetëm në sportin tonë, por duhet të ketë akte nënligjore dhe të parashikohet dhe me rregullore të organizatave sportive në mënyrë që të gjithë si një bllok të luftojmë fenomene të tilla të dëmshme për sportin në përgjithësi.”

Stavri Bello shkon edhe më tej kur thotë se nuk duhet të mjaftohemi vetëm me ligjin, duhet një bashkëpunim i federatave sportive me organizma hetimorë në mënyrë që të minimizohet fenomeni i trupimit. Futbolli në këto vitet e fundit ka qenë sporti më i prekur i akuzave për trukimin e ndeshjeve, por edhe zyrtarët e federatës kanë qenë larg punimeve për ligjin. Gjithsesi zëdhënësi i federatës së futbollit Dritan Kokona pranon se do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë nëse do t’ju kërkohet.

Dritan Kokona: “Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubet ende nuk janë njohur me këtë ligj. Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund ta komentojë pa e njohur. Parim numër 1 i institucioneve të rëndësishme të futbollit evropian përfshirë FIFA-n, UEFA-n, por edhe Komitetin Olimpik është që gjërat zgjidhen brenda familjes së futbollit.”

Në ligj parashikohen edhe ,masa të rënda ndëshkuese për sportistë përdorues dopingu, në syrin e një mjeku, por edhe të një prej drejtuesve të komisionit antidoping Lluka Heqimi thotë që duhet një dorë e rëndë për të kuptuar që dopingu dëmton shëndetin e më pas sportin.

Lluka Heqimi: “Po, po i duhet edhe një ndëshkim dhe më i madh sepse këtu të jeni të bindur që nuk do të jenë shumë, ndoshta nuk di të jetë as edhe një. Unë jam i bindur që sportistët shqiptar do të kuptojnë drejt këtë gjë, nuk është puna të ndjellim frikë, po të bëjmë të gjitha gjërat që duhen që sportisti të kuptojë se sa ai futet në rrezik për shëndetin e vet duke përdorur substanca të tilla. Duhet ta kuptojë vetë që gara duhet ët jetë e ndershme, e mirë sitkemi ne Fair Play –n.”/tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe