Sipërmarrësit apo subjektet që do të duan të bëhen pjesë e tregut energjetik, do t’i drejtohen këtej e tutje Qendrës Kombëtare të Aplikimit Energjetik, për t’u pajisur me licencat përkatëse.

I ideuar në formën e një One Stop Shopi, ky projekt ka marre sot miratimin e qeverisë në mbledhjen e saj të radhës.

Kryeministri Berisha deklaroi se ky është një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e klimës se biznesit ne vend duke ofruar lehtësi të mëdha dhe shmangur burokracitë për investitorët që lëvrojnë në këtë fushë.

Sali Berisha: “Për fushën e energjisë, licencave për energjinë është krijuar veças mbasi Shqipëria superfuqi energjetike në rajon kërkonte një trajtim të veçantë nga licencat e tjera. Ne inauguruam “One Stop Shop”, për licencat dhe lejet e mbetura, por edhe në atë periudhë ishte parashikuar energjia veças. Është një hap shumë i rëndësishëm, kjo për klimën e biznesit në Shqipëri.”

Gjate mbledhjes së qeverisë është miratuar projektligji për profesionet e rregulluara. Sipas kreut të qeverisë kjo nismë synon të rregullojë me ligj ushtrimin e profesioneve si të mjekut,farmacistit, avokatit etj në raport me publikun.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe vendosja e provimit të shtetit i cili jep çdo të diplomuari të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Sali Berisha: “Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit për të gjithë ata që mbarojnë studimet pas këtij ligji do të duhet provimi i shtetit, provimi do të jetë provim me teknologji digjitale. Ne e kemi jetike për të shmangur korrupsionin. Me këtë ligj mendoj se është mbushur një boshllëk që ekzistonte në legjislacionin shqiptar.”

Qeveria miratoi edhe krijimin e agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit e cila synon të nxisë kërkimin shkencor jo vetëm në universitetet publike, por edhe në sektorin privat.

Gjithashtu në mbledhjen e qeverise është miratuar edhe hapja e filialeve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Peshkopi./tvklan.al

Gazetari Eno Luarasi