Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2010. Kryeministri Berisha e cilësoi atë dokumentin më ambicioz të hartuar në një periudhë stuhie botërore, por që garanton siç tha realizimin e projekteve të mëdha.

Edhe ky buxhet parashikon rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve. Do të rritet kryesisht niveli i pagave të ulëta dhe atyre mesatare, ndërsa për pensionet qeveria duket e vendosur t’i shkojë deri në fund angazhimit për barazim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit.

Sali Berisha: “Në këtë buxhet jemi të vetmit që parashikojmë dhe vendosim të rritim sërish rrogat dhe ti rrisim ato ndjeshëm vitin e ardhshëm. Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12%. Përparësi në këtë rritje do kenë sërish rrogat e ulëta dhe të mesme. Niveli i rrogave të larta do ketë një rritje modeste pa inflacionin prej 2%, me inflacionin prej 4%. Do kenë rritje të ndjeshme rrogat e mesme të mësuesve, të infermierëve dhe mjekëve, por do kenë rritje të ndejshme dhe rrogat e policisë, ushtrisë dhe administratës. Rritje të ndjeshme në përputhje me platformën elektorale do kenë pensionet.”

Kryeministri foli për kriteret e reja në skemën e shpërndarjes së ndihmës ekonomike, synimi është eliminimi i varfërisë së skajshme.

Sali Berisha: “Ne do adaptojmë një skemë të tillë e cila do të shkojë drejt zerimit të mjerimit në Shqipëri. Apo varfërisë së skajshme siç quhet e cila sipas një studimi është 1.3%, por kjo në përqindje duket e vogël. Është për tu  marrë me seriozitet pasi janë mijëra familje.”

Ky buxhet parashikon realizimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë, do të ecet me shpejtësi në realizimin e boshtit jugor të jugut lidhjes së re rrugore Tiranë-Elbasan, por edhe rruga e Arbrit shënon zhvillime të reja.

Sali Berisha: “Ne do investojmë të gjitha fondet që rruga e Arbit të mund të përfundojë gjer nga fundi i vitit 2011, apo gjysma e vitit 2012 në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve të cilat janë mjaft problematike siç është ura më e lartë e vendit me 150 metra lartësi dhe disa tunele.”

Në buxhetin e ri merr përparësi mjedisi. Kryeministri i cilësoi të justifikuara shqetësimet e qytetarëve për nivel të lartë të ndotjes në kryeqytet. Zgjidhja e kësaj problematike do të shënonte sipas tij zhvillime pozitive në parametrat mjedisor.

Sali Berisha: “Është e papranueshme dhe unë me këtë nuk kam ndërmend ta përdor këtë akuzë për qëllime politike aspak. Sepse nuk e zgjidh problemin, problemin e zgjidhin ndërhyrje të fuqishme në Tiranë. Ndaj dhe ne i kemi ofruar kryetarit të Bashkisë së Tiranës së fundi ofertën e sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës, segmentin që është brenda qytetit. Ta ndërtojë bashkia dhe ne jemi të gatshëm biles të marrim borxhin për bashkinë. Pjesën jashtë qytetit që del në territorin e komunave tjera bashkia duhet të vetë-kufizohet dhe duhet ta ndërtojnë atyre që u takon. Mendoj se kjo përbën një zhvillim pozitiv në çështjen e trafikut, në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut që është dhe ndotësi numër një i Tiranës.”

Buxheti i ri garanton mbështetje të fuqishme për fshatin dhe bujqësinë. Shëndetësia do të ketë përparësi kryesore, përfshirë digjitalizimin e sistemit shëndetësor.

Në fushën e arsimit kryeministri përmendi objektivin që brenda 2013 të mbërrihet drejt vendimit për arsimim të mesëm të detyrueshëm.

Berisha nuk përjashtoi mundësinë e debatit mbi këtë çështje, por tha se kjo reformë është e domosdoshme.

Projektbuxheti mbështet fuqishëm projektin “Shqipëria digjitale”. Viti që vjen tha Berisha do të shënojë revolucion me licencat për frekuencat dhe tregun e telekomunikacioneve. Lufta ndaj kriminalitetit do të marrë përgjigje serioze.

Sali Berisha: “Ministria e Brendshme do ketë të gjithë mbështetjen për kontrollin e integruar të kufijve për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zotimi ynë për liberalizimin e vizave, por dhe për ta bërë jetën e qytetarëve shqiptar gjithnjë e më të sigurt.”

Mbështetje e fortë financiare garantohet për Ministrinë e Mbrojtjes me 2% të GDP.

Ministria e Integrimit për të gjitha hapat që garantojnë për afrimin me BE-në, Ministria e Jashtme për hapjen e ambasadave të reja dhe modernizimin e sistemit të vizave, Ministria e Ekonomisë për reformën rregullatore apo projektet e energjisë dhe fushës minerare./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi