Nuk do të ketë ndërhyrje në uljen e taksave për naftën nga ana e qeverisë. Akciza për naftën do ë vazhdojë të vilet në përqindje duke u bërë një faktor shtesë për rritjen e çmimit të naftës në vend. Me rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore dhe akciza e mbledhur prej 65% në buxhetin e shtetit për importet rritet duke përbërë një burim të konsiderueshëm të ardhurash shtesë nga parashikimet për buxhetin.

Ministri i Financave Arben Malaj, por edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani kanë deklaruar se shteti duhet të fusë në lojë kompaninë shtetërore të naftës “ARMO” për të ekuilibruar efektet e krizës së naftës. Këto deklarata kanë mbetur thjesht të tilla për sa kohë asnjë lëvizje nuk është kryer nga kjo kompani e cila ka nxituar të rrisë çmimin përkrah importuesve për naftën pa argumente të qarta.

Ndërkohë që kriza e naftës pritet të pasqyrohet në rritjen e çmimeve sidomos për sektorë, si transportet, agrobiznesi, peshkimi, industria etj., që kanë në bazë të kostos së prodhimeve të tyre konsumin e naftës. Kriza e naftës në tregjet botërore, e cila, sipas analistëve pritet të jetë e pranishme dhe për shumë kohë do të transmetohet në pasoja edhe më të rënda për vendin tonë me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit ku kërkesa për konsumin e naftës pritet të shënojë rritje. /tvklan.al