Tashmë protokolli kalon për ratifikim në Kuvend

Qeveria ka miratuar 10 ditë pas firmosjes në Romë, marrëveshjen për ngritjen e qendrës pritëse për azilkërkuesit nga Afrika në zonën e Gjadrit. Protokolli i kalon tanimë Parlamentit për shqyrtim dhe ratifikim.

Opozita e ka kontestuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjes mes Kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni edhe për mungesën e transparencës por dhe sepse pretendon se është në shkelje të Kushtetutës si dhe marrëveshjes ndërkombëtare.

Kryeministri ka deklaruar se kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e kësaj natyre që nënshkruhet me një shtet të BE-së, edhe pse pranon se nuk kanë munguar kërkesat nga vende të tjera.

Arsyja përse e pranoi, ai përsërit se nuk ka lidhje me interesat shtetërore por dhe borxhin që Shqipëria i ka Italisë e cila ka mirëpritur dhe integruar me mijëra shqiptarë që emigruan atje pas ’90-s.

Marrëveshja mes dy vendeve do të jetë në fuqi për 5 vite me të drejtë rinovimi. Ajo parashikon që gjatë kësaj periudhe emigrantët që do të transportohen nga Italia fillimisht do të regjistrohen në Portin e Shëngjinit dhe më pas do të vendosen në qendrën e pritjes në Gjadër, e cila ka një kapacitet deri në 3 mijë vende.

Të gjitha shpenzimet si për transportin ashtu dhe rikostruksionin e godinave por dhe ato për kostot ditore si të azilkërkuesve dhe personelit, që do të punojë brenda qendrës së pritjes, do të mbulohen nga qeveria italiane.


RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT   TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,  Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Tv Klan