Pas kryetarëve të komunave edhe përfaqësuesit shqiptar në ekzekutiv janë vendosur në anën e arsimtarëve dhe shkollave të cilët nuk e respektojnë vendimin e qeverisë për të mësuar maqedonishten nga klasa e parë.

Zëvendëskryeministri Abdyl Haqim Ademi deklaroi se ky vendim nuk mund të zbatohet pa pëlqimin e arsimtarëve dhe nxënësve.

Abdyl Haqim Ademi: “Vendim i cili do të jetë i pranueshëm në radhë të parë nga profesorët, nxënësit dhe prindërit.”

Edhe ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker ka vlerësuar se asnjë vendim që ka të bëj ë me çështjet e arsimit nuk duhet të imponohen.

Filip Riker: “Qëndrimi im, por besoj edhe i bashkësisë ndërkombëtare është se qytetarët këtu duhet të flasin maqedonishten, sikurse duhet të flasin edhe gjuhët tjera. Por e gjithë kjo duhet të arrihet përmes dialogut e jo përmes vendimeve të imponuara.”

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Gostivarit, Rrufi Osmani, ka vlerësuar se forma më e mirë për tejkalimin e këtij problemi është që edhe nxënësit maqedonas ta mësojnë shqipen në komunat e populluara me shumicë shqiptare.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu