Pas çdo stuhie ka dritë! Kjo ndodhi me kombëtaren e Kosovës që shumë shpejt e harroi atë që ndodhi pas humbjes turpëruese ndaj Rumanisë. Dardanët kishin një marsh më shumë në transfertën e Greqisë, për t’iu imponuar siç duhet Qipros. Pavarësisht mungesave të rëndësishme në çdo repart, skuadra e Franko Foda ishte e jashtëzakonshme për të fituar me shifrat e thella 4-0.
“Poker” që kishte si protagonist Vedat Muriqin, autor të dy golave, por edhe rezultat i arritur falë ritmit të lartë të treguar në fushën e lojës. Sukses që rikthen qetësinë tek kombëtarja e Kosovës, duke kënaqur edhe teknikun Foda. Ndryshe nga humbja me Rumaninë ai u paraqit në konferencën për shtyp për të komentuar fitoren.
“Fitore shumë e rëndësishme jo vetëm për ekipin, por edhe për presidentin, stafin e trajnerëve. Rezultat shumë i mirë pas rezultatit me Rumaninë. Kemi luajtur mirë në thellësi, me kurajë përpara, jemi mbrojtur shumë mirë. Kemi shfrytëzuar rastet tona. Në përgjithësi një rezultat dhe një ndeshje shumë e mirë.”
Me një fitore dhe një humbje, Kosova vihet pas krahëve të Rumanisë kryesuese të grupit C2. Dardanët kanë 3 pikë dhe momentalisht në vendin e dytë do garantonin zonën play-out.
Klan News