Numri i bizneseve të regjistruara për herë të parë pranë sporteleve “One stop shop” gjatë këtij viti rezulton të jetë dy herë më i madh krahasuar me vitin e kaluar.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola, e konsideron një arritje të rëndësishme që tregon rezultatet e përpjekjeve për thjeshtimin e procedurave në hapjen e një biznesi.
Tom Kola: “Si rezultat i lehtësimit të procedurave të regjistrimit të biznesit duke kaluar nga një proces gjyqësor në një proces administrativ është rritur për gjashtëmujorin e parë të 2008-tës, krahasuar me vitin 2006 në masën, pra numri i regjistrimeve fillestare, në masën pothuajse 40%, kurse në krahasim me vitin 2007 është dyfishuar. Kjo është një shifër shumë e mirë dhe kjo është sigurisht e tëra në kuadrin e lehtësimit të procedurave të biznesit, në kuadrin e reformës rregullatore.”
Kreu i QKR-së zbuloi dhe planet që do të rrisin gjeografinë e shtrirjes së sporteleve të regjistrimit.
Tom Kola: “Kemi, duke bashkëpunuar me dhomat e tregtisë është rritur numri i vendeve ku mund të aplikohet për regjistrimin fillestar të kompanive me 13%, gjë të cilën shpresojmë ta rrisim si shifër deri në fund të vitit 2008.”
Reforma e ndërmarrë nga qeveria për hapjen e sporteleve “One stop shop” ka marrë vlerësime dhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, “Si të bësh biznes”, duke kontribuar në kapërcimin galopant që vendi ynë bëri në renditje, krahasuar me një vit më parë teksa u pozicionua si vendi i dytë më reformator në botë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro